Afganistan, sulm kamikaz me bombë vret 43 ushtarë

19/10/2017 03:25

Talebanët në Afganistan godasin për të dytën herë brenda javës forcat vendase të sigurisë, duke i kombinuar sulmet e befasishme me shpërthime vetëvrasëse.

Plot 43 ushtarë humbën jetën nga shënjestrimi i bazës së tyre në provincën jugore të Kandaharit, prej të paktën dy kamikazëve me makina-bomba. Nëntë të tjerë u plagosën e 6 persona rezultojnë të zhdukur.

Sipas Ministrisë vendase të Mbrojtjes, gjatë luftimeve që pasuan episodin e dhunshëm, e që vazhduan për orë të tëra, mbetën të vrarë edhe 10 militantë.

Dy ditë më parë, persona të armatosur dhe kamikazë të të njëjtit grup, vranë 41 vetë, kur mësynë një qendër stërvitore të policisë në qytetin lindor Gardez. Të lënduarit ishin rreth 150, shumë për spitalin e provincës Paktia, që njoftoi se nuk e përballonte dot situatën e lëshoi një apel urgjent për dhurues gjaku.

Në të njëjtën ditë, më shumë se 30 persona, këtë herë civilë, vdesin nga shpërthime autobombash në Ghazni. Automjete të blinduara “Humvee” e të mbushura me eksploziv u hodhën në erë pranë zyrave të guvernatorit, përpara se agresorët të nisnin një mësymje të armatosur.

Ushtria dhe policia afgane kanë pësuar humbje të rënda këtë vit, prej talebanëve që kërkojnë rivendosjen e variantit të tyre të rreptë të ligjit të sheriatit në mbarë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA