Rikthehen borxhet, në 8 muaj 65 mln euro punë të papaguara

18/10/2017 14:30

Qeveria ka 65 milionë euro borxhe të papaguara ndaj kompanive private, vetëm për investimet në rrugë dhe ujësjellësa.

Top Channel ka mësuar se Ministria e Transportit ka kryer javën e fundit një verifikim mbi gjendjen e detyrimeve të papaguara.

Nga verifikimet dhe krahasimi i kontratave ka rezultuar se, deri në fund të tetëmujorit, borxhet e papaguara ndaj kompanive private që kanë ndërtuar rrugë janë 54 milionë euro, ndërsa 11 milionë euro të tjera u përkasin investimeve në ujësjellësa.

Sipas verifikimit, pjesa më e madhe e detyrimeve janë krijuar në periudhën Janar-Gusht të këtij viti, veçanërisht gjatë muajve të fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit politik.

Por Ministria e Transporteve nuk është e vetmja që ka krijuar borxhe të papaguara ndaj biznesit. Sipas Fondit Monetar, edhe Tatimet kanë rreth 30 milionë euro detyrime ndaj kompanive private, për TVSH të parimbursuar.

Nëse këtyre u shtohen edhe rreth 80 milionë euro të tjera detyrime të pushtetit vendor, të trashëguara prej shumë vitesh, atëherë borxhet e papaguara që sektori publik ka ndaj biznesit llogariten në rreth 175 milionë euro, ose gati 1.7 për qind e prodhimit kombëtar.

Në periudhën 2014-2016, qeveria pagoi rreth 500 milionë euro borxhe të trashëguara ndaj biznesit. Rikthimi i detyrimeve të prapambetura ka shqetësuar edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që i kërkoi qeverisë të përmirësojë rimbursimin e taksave dhe të forcojë kontrollin e angazhimeve financiare, veçanërisht në Ministrinë e Transporteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA