Kampionati amerikan i basketbollit, NBA ka nisur menjëherë me një surprizë. Kampionët në fuqi të Golden State Warriors janë mposhtur në “Oracle Arena” nga Houston Rockets me rezultatin 122-121. Kjo ishte edhe sfida e parë në parketin ku u dorëzuan edhe unazat për titullin kampion të sezonit të kaluar.
Ajo e djeshmja ishte vetëm nata e parë e sezonit të ri, por gjithsesi, fitorja e Rockets në “Oracle Arena” nuk mund të mos konsiderohet si një kalim testi të vërtetë dhe të vështirë, që të jep më shumë besueshmëri në projektin e 60 fitoreve të trajnerit D’Antoni. E sigurisht që për të arritur në këtë sukses, teksanëve u është dashur të tregojnë një karakter të madh si skuadër.
Harden, me 27 pikë dhe 10 asiste, shënonte vazhdimisht pikë vendimtare për ta mbajtur skuadrën gjithmonë në sulm, edhe në momentet më kritike të sfidës, kur Golden State dukej sikur ishte një stuhi e furishme, duke e çuar diferencën në periodën e parë në +17. Por veç “mjekroshit”, pikë të rëndësishme shënuan edhe Gordon (24), Tucker (20) dhe Mbah e Moute me nga 14 secili.
Ajo që ra në sy ishte ulja në stol e Chris Paul në momentin vendimtar të ndeshjes, por kjo u justifikua nga trajneri Mike D’Antoni me dhimbjen në gjurin e majtë që ndiente blerja më e re e skuadrës, që ndonëse nuk shënoi më shumë se 4 pikë, bëri të pamundurën për të asistuar shokët e tij të skuadrës me 11 asiste.
Për Warriors është një dështim i pashpjegueshëm, sidomos në momentin më të rëndësishëm të sfidës, të cilën e luajtën pa Draymond Green, të cilit iu desh ta braktiste sfidën për një problem në gjurin e majtë.
Top Channel