Aventura me Bajernin e Mynihut nuk përfundoi ashtu siç ai do të dëshironte, por Carlo Ancelotti vazhdon të mbetet një trajner i kërkuar në treg.
Që prej shkëputjes së marrëdhënies me bavarezët, për teknikun italian janë përfolur një sërë skuadrash. Është përfolur më së shumti një rikthim i mundshëm i tij tek Milani në përpjekje për të përsëritur sukseset e arritura me “Kuqezinjtë” në 8 vite që i drejtoi.
Por, në mediat britanike dhe gjermane së fundmi qarkullon lajmi se Ancelotti nuk ka ndërmend që të pranojë ofertën e Milanit dhe është më shumë i interesuar që të trajnojë Juventusin nëse Allegri largohet.
Kjo thuhet në Angli dhe Gjermani, ndërsa në Itali është një tjetër variant. Sipas mediave sportive italiane, nëse Allegri vendos të largohet, objektivi i drejtuesve të Juventusit është trajneri i Lacios, Simone Inzaghi, i cili i ka bindur “bardhezinjtë” me dy humbjet që u ka shkaktuar këtë sezon, një në Superkupën e Italisë dhe e fundit në “Allianz Stadium”, ku i mposhti 1-2 në ndeshjen e vlefshme për kampionat.
Veç kësaj është edhe historiku i disa deklaratave të Carlo Ancelottit, të cilat nuk janë pritur mirë tek Juventusi, sidomos pas Calciopolit.
Top Channel