Portugalia shpalli tre ditë zie kombëtare duke filluar nga e marta, për viktimat e zjarreve që kanë përfshirë vendin.
Të paktën 36 persona humben jetën pasi qindra vatra zjarri u përhapën në zonat qendrore dhe veriore, të dielën e të hënën. Ato i krijuan si pasoje e thatësirës e temperaturave të larta dhe u përhapën nga erërat e forta të Atlantikut që solli uragani Ofelia.
Flakët përtej kufirit, në Spanjë, i kushtuan jetën të paktën 3 personave.
Situata e rënduar shtyu autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës në zonat që gjenden në veri të lumit Tagua, një sipërfaqe kjo sa gjysma e territorit të saj. Kryeministri Antonio Costa e cilësoi këtë si valën më të madhe të zjarreve që godisnin vendin prej 2006-tës. Kabineti i tij do të takohet të shtunën për të aprovuar rekomandimet lidhur me një raport për parandalimin e zjarreve i hartuar pas një tjetër situate të ngjashme në qershor, ku vdiqën 64 persona.
Reshjet e shiut të hënën ndihmuan në shuarjen e shumë zjarreve, por disa vatra të tjera vazhduan të digjeshin përgjatë natës. Qytetarët rrëfejnë se kishin pasur shumë pak kohë për të reaguar pasi ritmi i përhapjes së flakëve ishte i pabesueshëm.
Mes viktimave në Portugali ishte edhe një bebe 1 muajshe. Në rajonin e Galicias në Spanjë 2 prej 3 viktimave u gjetën brenda një makine të djegur.
Politikanët spanjollë mendojnë se në anën e tyre të kufirit bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Top Channel