Siri, Raqqa çlirohet nga xhihadistët e Shtetit Islamik

17/10/2017 14:34

Aleanca e mbështetur nga SHBA, mes kurdëve sirianë dhe luftëtarëve arabë kanë shpallur marrjen nën kontroll të plotë të të ashtuquajturit “kryeqytet” të Shtetit Islamik, Raqqa në Siri.

Zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane (SDF), Talal Sello tha se luftimeve u ka ardhur fundi pas një mësymjeje 5-mujore. Tashmë po zhvillohen operacione spastrimi, për të zbuluar ndonjë xhihadist të kamufluar mes civilëve apo për të hequr minat e vëna në tokë, shtoi ai.

Një njoftim zyrtar, që deklaronte shpalljen e fitores në qytet dhe fundin e regjimit 3-vjeçar të Shtetit Islamik pritet të bëhet nga momenti në moment.

Më herët gjatë kësaj të marte, “SDF”-ja pastroi edhe dy pozicionet e fundit madhore të ISIS në Raqqa, stadiumin e kryeqytetit dhe spitalin kombëtar. Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se luftëtarët ngritën flamujt e Njësive për Mbrojtjen e Popullit, një micili kurde që dominon aleancën “SDF”, brenda në stadium, e nisi festimet nëpër rrugë duke thirrur slogale nga automjetet e tyre.

Dhjetëra militantë të huaj besohej se strehoheshin në përpjekjet e fundit në stadium, ndërkohë që pati 22 të vdekur në sulmin përfundimtar në spital. Deri në 300 militantë besohej se gjendeshin aty deri të dielën, pasi xhihadistët sirianë dhe familjet e tyre u evakuuan pas një marrëveshjeje të negociuar nga kryetarët e fiseve.

“Çdo gjë mori fund në Raqqa, forcat tona kanë marrë kontrollin e plotë të këtij qyteti”, tha Sello për agjencinë e lajmeve “AFP” pasditen e kësaj të marte. “Operacionet ushtarake në Raqqa kanë përfunduar, por ka ende operacione spastrimi për të zbuluar ndonjë qelizë të fjetur të xhihadistëve apo edhe mina të vendosura në tokë”.

Shteti Islamik pushtoi “kryeqytetin” Raqqa në fillim të vitit 2014, disa muaj pasi ai u bë i pari kryeqytet provincial sirian që binte në duart e rebelëve gjatë luftës civile, dhe e ktheu atë në kryeqendrën e kalifatit të vetëshpallur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA