SHBA nuk përjashton: Edhe dialog direkt me Penianin

17/10/2017 01:08

Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut.

Zv.Sekretari i Shtetit, John J. Sullivan pati në Tokio një takim me homologun e tij japonez, Shinsuke Sugiyama, gjatë të cilit deklaroi se Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet të përgatiten për skenarin më të keq nëse diplomacia dështon, duke u kujdesur njëkohësisht të shtonte se dritarja e dialogut nuk ka përse të konsiderohet e mbyllur.

“Ne përfundimisht nuk e përjashtojmë mundësinë e bisedimeve direkte, por për momentin vëmendjen e kemi të përqëndruar tek diplomacia, e cila  përbën boshtin e fushatës së presionit mbi Penianin”, deklaroi zv.Sekretari i Shtetit.

Së bashku me Sugiyaman, Sullivan do të udhëtojë më vonë drejt Koresë së Jugut për një takim tripalësh në Seul. Vizita e tij paraprin udhëtimin e shumëpërfolur të Presidentit Donald Trump në rajon muajin e ardhshëm në mesin e rritjes së shqetësimeve nga programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe testet e saj raketore.

Vetë vendi komunist kërkon të tregojë se retorikat e ndezura me Shtetet e Bashkuara nuk ia kanë trazuar normalitetin. Në Panairin Ndërkombëtar të Mobiljeve e materialeve të ndërtimit në Penian, koreano-veriorët patën mundësi të shohin lloje të ndryshme shtretërish, divanesh e produktesh dekorative.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA, në panair morën pjesë më shumë se 100 firma nga Koreja e Veriut dhe shtete të tjera, të cilat kanë paraqitur artikujt e tyre të prodhuar nga materiale miqësore me mjedisin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA