Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulmin e parë ajror kundër Shtetit Islamik në Jemen, duke shkatërruar kampet e stërvitjes dhe duke vrarë dhjetëra militantë.
Lajmin e ka bërë të ditur Pentagoni. “Sulmet kanë minuar përpjekjet e organizatës për të stërvitur luftëtarë të rinj”, thuhet në një komunikatë. Ndërkohë, sipas burimeve të CNN, në dy bazat e goditura ndodheshin të paktën 50 militantë të ISIS.
“ISIS ka përdorur territore jashtë kontrollit të Jemenit për të planifikuar, drejtuar, frymëzuar dhe rekrutuar anëtarët e tij për sulme terroriste kundër Amerikës dhe aleatëve të saj në të gjithë botën. Për vite të tëra Jemeni ka qenë një vatër për terroristët”, thuhet në komunikatën e Pentagonit.
Në të shtohet më tej se forcat amerikane po kryejnë operacion edhe kundër Al Kaedës së Gadishullit Arabik për të reduktuar kapacitetet e dy grupeve për të kryer sulme të koordinuara dhe për të mbajtur nën kontroll territore të ndryshme të vendit.
Top Channel