Rreth 3.000 vetë u mblodhën për t’i bërë homazhe gazetares së vrarë me autobombe në Maltë, Daphne Caruana Galizia, reporterja me e njohur investigative e vendit.
Rasti i saj ka tronditur të gjithë ishullin e vogël të mesdheut me një popullsi prej 400.000 vetësh. Të rinj e të moshuar zbritën me qirinj ne duar në rrugët e qytetit turistik Sliema dhe ecën për 1 kilometër e gjysëm deri ne monumentin e dashurisë, në gjirin e Saint Julianit, ku vendosen qirinjte e tyre e lartësuan figurën e Galizias.
Miku i familjes së 53 vjeçares, Luke Frendo i tha turmës së njerëzve se vdekja e saj nuk do të jetë e kotë.
“Kjo është padyshim një ditë e errët dhe tepër e trishtuar për Maltën. Për mua të paktën është dita më e trishtë e të gjithë jetës time. Si qytetar i këtij vendi mendoj se Daphne nuk ishte thjesht një gazetare dhe një qenie njerëzore që nuk e njihte frikën, por edhe një përfaqësuese e pushtetit të katërt të demokracisë tonë, ndaj ky krim i neveritshëm nuk është thjesht krim kundër një njeriu, kundër një reportereje. Është krim kundër një shtylle të demokracisë”, deklaroi Luke Frendo.
Blogerja e njohur që e kishte akuzuar qeverinë malteze për korrupsion, vdiq nga shpërthimi i makinës që drejtonte pak pasi u largua nga shtëpia e saj në Bidnija. Njëri prej djemve të gazetares e dëgjoi zhurmën e fuqishme dhe u turr me vrap jashtë te shikonte.
Kryeministri Joseph Muscat, të cilin Caruana Galizia e akuzonte për shkelje, e cilësoi vrasjen një “akt barbar” dhe e dënoi me forcë. Sipas televizionit të Maltës, 53 vjeçarja kishte depozituar dy javë më parë një ankesë në polici ku shpjegonte se kishte marre disa kërcënime të rënda.
Top Channel