Ndërsa Harvey Weinstein është përfshirë nga skandali i ngacmimeve të tij seksuale, kompania “Weinstein” e themeluar nga vet producenti është në negociata për një shitje të mundshme, me fondin “Colony Capital” të drejtuar nga Thomas J. Barrack Jr., investitor miliarder, mik dhe këshilltar i ngushtë i Donald Trump.
Vet Barrack Jr. ka thënë se “do ta ndihmojmë shoqërinë të rifitojë pozicionin ikonë që meriton në industrinë e kinemasë dhe televizionit”.
Ndërkohë, çështja e producentit nga “Hollywood”-i vazhdon të përzihet me botën e politikës. Donald Trump, nga njëra anë, dhe Hillary Clinton nga tjetra.
Presidenti amerikan druan se skandali mund të rikthejë në vëmendje akuzat për ngacmime seksuale nga dhjetëra gra, që gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016 kanë ngritur ndaj manjatit. Ndërsa ish-Zonja e Parë druan se dënimi i saj i ashpër ndaj producentit të fuqishëm mund të kthehet në një bumerang, kjo falë lidhjeve të shkuara miqësore mes familjes Clinton dhe Weinstein, që ka qenë edhe një nga financuesit kryesorë të fushatës elektorale të demokratëve.
Benzinë zjarrit i ka hedhur transmetuesi “Fox News”, që ka shpluhurosur një hetim të vjetër të “Washington Post”-it, në të cilin Weinstein shfaqet në listën e yjeve të “Hollywood”-it që ndihmuan Vill Clintonin të paguajë shpenzimet ligjore për t’u mbrojtur në aferën “Sex gate”, shkaktuar nga marrëdhënia me Monica Lewinskyn.
Producenti derdhi në arkat e presidentit të atëhershëm të paktën 10 mijë dollarë. Hillary Clinton ka garantuar ndërkohë se do të kthejë deri në qindarkën e fundit paratë e marra nga Weinstein, si financues i fushatës së saj zgjedhore, ndërsa rreth 250 mijë dollarët e derdhura nga producenti në fondacionin clinton janë përdorur ndërkohë në disa projekte.
Edhe përtej kufijve amerikanë, çështja ndan dhe ndez polemika. Në Francë përballen nga larg Zonja e Parë aktuale dhe ish-Zonja e Parë. Nëse Brigitte Macron ka lëvduar kurajon e grave që kanë vendosur të flasin, Carla Bruni ka dalë jashtë korit duke kritikuar vendimin e “Elizesë” për t’i hequr medaljen e “Legjionit të Nderit” Weinsteinit.
“Përtej perversitetit të tij personal, ai ka bërë shumë për kinemanë”, thotë ajo.
Top Channel