Autoritetet zgjedhore në Venezuelë kanë shpallur fitoren e Partisë Socialiste në 17 prej 23 posteve për guvernatorë, një fitore dërrmuese kjo, pavarësisht peripecive nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Presidenti Nicolas Maduro e lavdëroi këtë triumf si një fitore të çavizmit, duke iu referuar “markës” së socializmit në vend që ka marrë emrin e ish-presidentit të ndjerë Hugo Chavez.
Megjithatë, udhëheqësit e opozitës e kanë denoncuar procesin si një farsë.
Koalicioni “Tryeza e rrumbullakët e Bashkimit Demokratik” ka refuzuar të njohë rezultatet zgjedhore e kanë kërkuar një auditim tërësor, njoftoi drejtori i fushatës Gerardo Blyde.
Sondazhet tregonin se opozita mund të fitonte nga 11 deri në 18 poste guvernatorësh.
Venezuela është përballur me një krizë të skajshme ekonomike, deri në mungesë të ushqimeve bazike, por edhe dhunë politike gjatë këtij viti, përfshi këtu vdekjet e mbi 100 personave nëpër protesta.
Më herët gjatë vitit, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë venezuelianë. Sekretari amerikan për Thesarin, Steven Mnuchin tha se vendi i tij nuk do të injorojë “përpjekjet në vazhdim të Maduros për të minuar demokracinë, lirinë dhe sundimin e ligjit”.
Maduro, gjithsesi, i cilësoi sanksionet “të paligjshme, të pacipa dhe të paprecedenta”, teksa ngriti pyetjen: çfarë mendojnë se janë këta imperialistë në Shtetet e Bashkuara?
Top Channel