Nga uragan është kthyer në stuhi tropikale, por “Ophelia” vazhdon të konsiderohet mjaft e rrezikshme ndërsa goditi me forcë brigjet irlandeze, ku prej saj raportohet aktualisht një jetë e humbur.
Deri tani, pasojat më të mëdha i ka paguar gadishulli Iberik, i përballur me erëra që mbërritën shpejtësinë 130 km në orë, shkaktare të disa zjarreve të fuqishme në rajonin spanjoll të Galicias, ku numërohen 3 të vdekur.
Por më të keqen e ka përjetuar Mbrotja Civile portugeze, sepse atje, situata e zjarreve ishte problematike për shkak të temperaturave të larta. Viktimat e flakëve këtu kanë mbërritur në të paktën 27.
Irlanda është vënë ndërkohë në gjendje alarmi nga afrimi i stuhisë, e për të kufizuar sa më shumë dëmet e saj, autoritetet kanë vendosur mbylljen e shkollave në të gjithë vendin.
Meteorologët druhen se “Ophelia” mund të sjellë erëra me fuqinë e uraganit, shira të dhunshëm e turbulenca të forta ajrore. Qendra amerikane e Uraganëve parashikon 50 deri në 70 milimetra shi në perëndim të Irlandës e Skoci, dallgë të larta në zonat bregdetare e përmbytje.
Aeroportet e Dublinit dhe Shannonit i kanë ftuar pasagjerët të informohen mbi fluturimet, përpara se të vihen në lëvizje, ndërsa ai i Corkut njofton se mund të ketë edhe anulime. Zyrtarët vendas nuk përjashtojnë mundësinë që stuhia të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike, e paralajmërojnë mbi rrezikun e objekteve që ngre era e fortë në ajër, vështirësitë e transportit, apo edhe ndërprerjen e sinjaleve telefonike.
Në zonën Fastnet Rock, në bregun jugor të Irlandës, erërat kanë mbërritur tashmë shpejtësinë 148 km në orë. “Ophelia” lëvizi nga ishujt Azore në oqeanin Atlanik dhe mund të shndërrohet në stuhinë më të fuqishme që godet Mbretërinë e Bashkuar në 30 vite, që prej asaj shkatërrimtare të vitit 1987.
Top Channel