Nga “Moulin Rouge”, në Kancelar i Austrisë…Seb Kurz

16/10/2017 16:34

Sebastian Kurz fitoi zgjedhjet në Austri, e me shumë gjasë do të zgjidhet Kancelar i ri. Në moshën 31-vjeçare, kreu i Partisë Popullore do të bëhet shefi më i ri i qeverisë në planet.

I njohur dikur si fëmija gjeni, Kurz u lind më 2 gusht të 1986-s. Babai i tij ishte inxhinier, ndërsa nëna mësuese. Ai ka studiuar për drejtësi, por pasioni për politikën e shtyu ta linte shkollën.

Në Vjenë mbahet mend kryesisht kur kandidoi për këshillin komunal në vitin 2009, kur lëvizte nëpër qytet me një “Suv” të pazakontë. Bashkë me të, në bordin e automjetit gjendeshin edhe gra të veshura në mënyrë provokuese.

Kurz shpërndante profilaktikë të zinj, ngjyra e partisë, për të nënvizuar aspektin eksitues së një vote për partinë e mërzitshme OVP. Por kjo është e kaluara, për të cilën Kancelari i ardhshëm nuk ka shumë dëshirë të flasë.

Kjo, edhe sepse në jetën private, Kurz është një njeri shumë romantik. Ai ka të njëjtën partnere që në kohët e shkollës, bjonden Susanne Thier, 5 vite më e re sesa ai. Gjatë fushatës zgjedhore, ajo i ka qëndruar gjithmonë në krah, e tani përgatitet të marrë rolin e Zonjës së Parë austriake.

Marshi drejt pushtetit i Sebastian Kurz të lë pa frymë. Vetëm 24 vjeç, ai u zgjodh zv.sekretar i Integrimit; deputet u bë në moshën 26-vjeçare dhe ministër i Jashtëm një vit më vonë.

Udhëtimet e tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së flasin vet. Vetëm takime të nivelit të lartë, ndërhyrje të dëgjuara me shumë vëmendje për kërcënimin e Islamit radikal, debate me Henri Kissinger.

Mënyrat e sjellshme, figura elegante dhe tiparet djaloshare e kanë bërë atë një yll të diplomacisë ndërkombëtare. Në vitin 2016, Kurz rezultoi vendimtar për mbylljen e itinerarit ballkanik të emigracionit dhe kritikoi publikisht politikën e dyerve të hapura të Angela Merkelit.

Me politikat kundër emigracionit, luftës ndaj Islamit radikal, dëbimet e lehta për refugjatët që nuk respektojnë ligjin, e mbylljen e kufijve të jashtëm të BE-së, në vetëm 3 muaj Kurz bëri për vete austriakët. Tani duhet të tregojë se di edhe t’i qeverisë ata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA