
Luftime të ashpra kanë shpërthyer mes forcave irakiane e atyre kurde, pasi Bagdadi dërgoi trupat në zonat e diskutueshme të kontrolluara nga kurdët, në provincën e Kirkukut.
Televizioni shtetëror njoftoi se forcat qeveritare kanë marrë disa prej tyre, përfshirë edhe disa fusha naftëmbajtëse, pa hasur në rezistencë. Por zyrtarët kurdë e mohojnë një gjë të tillë. Në jug të Kirkukut raportohet të jetë dëgjuar shkëmbim zjarri artilerie.
Tejet e shqetësuar nga situata e krijuar, qeveria amerikane nxiti palët për dialog, duke u kujtuar se kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e tensioneve. Tanket irakiane ndërkohë po lëvizin në fushën Baba Gurgur.
Tensionet mes qeverisë qendrore në Bagdad dhe rajonit autonom të Kurdistanit u intensifikuan, pasi banorët e këtij të fundit votuan me shumicë dërrmuese votash për pavarësi në referendumin e muajit të kaluar.
Kryeministri Haider al-Abadi e konsideron referendumin antikushtetutes e kërkon anulimin e tij. Qeveria rajonale kurde këmbëngul se nisma ishte mëse legjitime, e bën thirrje për dialog. Por, edhe pse prirja e saj është ajo e arritjes së një shkëputjeje sa më të paqtë, kurdëve të Kirkukut u është dashur të rrokin armët, për të mbrojtur – siç thonë, – qytetin e tyre.
“Ata duan të pushtojnë tokën tonë dhe ne jemi këtu për t’iu thënë se nuk do t’i lemë të hyjnë në qytet. Do t’u rezistojmë deri në vdekje”, tha Hayman Karim, banor i Kirkukut.
“Ne refuzojmë çdo marrëveshje me Bagdadin. Kemi rrëmbyer armët për të mbrojtur këtë qytet nga sulmet e Hashid Shaabit dhe iranianëve. Do t’i shporrim, ashtu siç bëmë me Shtetin Islamik”, tha Ari Omar, banor i Kirkukut.
Bisedimet e krizës të dielën nuk arritën ta zgjidhin ngërçin e krijuar, e gjatë natës qeveria irakiane nisi operacionin në Kirkuk me argumentin e “sigurimit të bazave dhe reparteve ushtarake federale”.
Top Channel