Shkolla e fshatit Shkallë në Dajt tashmë është larg asaj godine të degraduar ku fëmijët ishin të detyruar të ndanin klasën dhe me ambientin e magazinimit të druve.
Falë investimit të bashkisë së Tiranës dhe “Fundjava Ndryshe”, tashmë shkolla “Ejona Dinga” është rikonstruktuar me të njëjtën cilësi si shkollat më të mira të Tiranës
“Sot jemi në shkollën më të vogël të bashkisë së madhe të Tiranës, ndërkohë që vitin e filluam në shkollën më të madhe të bashkisë së Tiranës, te gjimnazi “Qemal Stafa”, me rikonstruksionin e godinës. Shkolla e fshatit Shkallë ka më pak nxënës se klasa më e vogël në Tiranë, por ka një parim: Një për të gjithë, të gjithë për një. Që do të thotë se duhet të ofrojmë të njëjtin shërbim, si në qendër të Tiranës, si në Bllok, si brenda Unazës, si në zonat periferike, deri në stacionin tonë të fundit që është shkolla e fshatit Shkallë”, tha Veliaj.
Ai shprehu mirënjohje për kontributin që kanë dhënë vullnetarët dhe aktorë të tjerë në rikonstruksionin e kësaj shkolle, duke theksuar se vullnetarizmi është i nevojshëm në Tiranë.
“Dua të falenderoj të gjithë kolegët që kanë kontribuar, sidomos “Fundjava ndryshe”, Arbrin, dhe miqtë e tjerë të fondacionit. Në Shqipëri njerëzit janë ndarë në dy kategori: ka një kategori që bën vetëm vërejtje, por ka një kategori tjetër që e sheh problemin dhe në vend që të bëjë vërejtje thotë, a mund të ndihmoj unë që kjo të zgjidhet. Kjo është kategoria që përfaqëson “Fundjava ndryshe” dhe gjithë vullnetarët fantastikë të qytetit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.
“Është bërë restaurimi i plotë i shkollës, janë siguruar kushtet e nevojshme që fëmijët të bëjnë mësimin në gjendje normale. Ky është hapi i parë që kemi marrë në rehabilitimin e një shkolle dhe shpresojmë që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës nismat e radhës të jenë për të gjithë shkollat që frekuentohen nga nxënësit në fshatrat e Tiranës”, u shpreh drejtuesi i nismës “Fundjava Ndryshe”, Arbër Hajdari.
Top Channel