Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson nguli këmbë se Presidenti Donald Trump dëshiron që të zgjidhë përballjen me Korenë e Veriut përmes diplomacisë.
Përpjekjet për tu marrë vesh do të vazhdojnë derisa të bjerë bomba e parë – deklaroi Tillerson për CNN. Sipas kryediplomatit amerikan, sanksionet dhe diplomacia kanë rezultuar në një unitet të paprecedent ndërkombëtar kundër programit bërthamor të Koresë së veriut.
Komentet e Tillerson vijnë ndërsa gjithnjë e më shumë aktorë ndërkombëtarë po binden se SHBA e ka ndarë mendjen për luftë me Korenë e veriut, sidomos pas fjalëvë të vetë Trump që këshilloi sekretarin e tij të jashtëm të mos humbasë kohë duke kërkuar bisedime me shtetin e izoluar.
Në intervistën për CNN, Tillerson gjithashtu refuzoi pyetjen nëse e kishte cilësuar presidentin një idiot, duke thënë se nuk kishte ndërmend të merrje me gjëra të tilla të vogla. Muajt e fundit, Koreja e Veriut ka sfiduar të gjithë botën duke lëshuar raketa mbi Japoni dhe duke kryer testin e gjashtë bërthamor.
Gjuha e ashpër që Trump dhe Kim Jong un kanë përdorur ndaj njëri-tjetrit ka rritur edhe më shumë tensioni, duke e bërë përballjen ushtarake një mundësi reale.
Top Channel