Ndalet kamioni me bombë, shmanget masaskra në Kabul

15/10/2017 13:56

Policia afgane sekuestroi një kamion të ngarkuar me më shumë se 1.500 kg eksploziv dhe shmangu një sulm vërtetë të përgjakshëm, pasi ndaloi mjetin që tentonte të futej në kryeqytetin Kabul.

Kjo është një nga herët e rralla që mund të shihet një autobombë, pasi zakonisht jemi mësuar që të shohim pasojat e tyre të frikshme. Zyrtarë lokalë bënë me dije se drejtuesi i mjetit, me sjelljen e tij ngjalli dyshimet e policëve në një postbllok.

I gjendur pa rrugëdalje ai tentoi t’ia mbathte në këmbë, pasi braktisi kamionin, por u ndalua nga agjentët. Autoritetet afgane thanë se fatmirësisht nuk bëhej fjalë për një kamikaz, që mund ta kishte shpërthyer kamionin edhe në postbllok, duke shkakuar mjaft viktima dhe dëme.

Pas kontrollit, autoritetet gjetën sasinë e madhe të eksplozivëve, mes të cilëve nitrat amoni dhe bomba ushtarake, të fshehura nën arkat me domate, që kamioni shtirej se po transportonte.

Pas sulmit të majit, po me një kamion bombë, që i kushtoi jetën më shumë se 150 njerëzve në Kabul, autoritetet kanë marrë masa për të kontrolluar sa më mirë hyrjen e mjeteve të mëdha në qytet, përfshirë shtimin e postblloqeve dhe barrierave prej betoni, sidomos rreth qendrës së qytetit ku gjenden ndërtesat e ministrive dhe përfaqësitë e huaja.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta