Kaliforni, tragjedia më e madhe. Zjarret, mbi 40 viktima

15/10/2017 04:20

Numri i të vdekurve tashmë ka mbërritur në 40, e pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve lokale, situata e zjarreve në Kaliforni vazhdon të përkeqësohet.

Guvernatori Jerry Brown tha se kjo është një prej tragjedive më të mëdha, me të cilat është përballur ndonjëherë shteti amerikan. 3.000 persona u evakuan vetëm të shtunën nga Santa Rosa, në rajonin e verërave Sonoma, një ndër më të goditurit.

“Shkatërrimi është në nivele të pabesueshme. Është një tmerr përtej çdo imagjinate”, tha Jerry Brown.

Punonjësit e shpëtimit janë duke përdorur qentë me erë për të kërkuar trupa në rrënojat e shtëpive të djegura nga zjarret, në një kohë kur askush nuk ka dëgjuar ende nga pothuajse gjysma e 900 njerëzve të regjistruar zyrtarisht si të zhdukur.

Zyrtarët druhen se identifikimi i viktimave të zjarrit do të jetë i vështirë.

“Kemi gjetur trupa që janë pothuajse tërësisht të paprekur, ashtu sikurse kemi zbuluar të tjerë që nuk janë asgjë më shumë sesa hi dhe eshtra. Një nga mënyrat që ne bëjmë identifikimin në këto raste është përmes pajisjeve mjekësore”, thonë ata.

Të enjten, zjarrfikësit arritën një farë përparimi, por të premten në agim u përballën me një tjetër ditë të vështirë, me lagështinë e ulët, të shoqëruar me erërat e forta. Deri më tani janë djegur më shumë se 75 mijë hektarë tokë, duke përfshirë disa nga vreshtat e famshme botërore në veri të Kalifornisë. Të paktën 3.500 shtëpi dhe biznese janë shkatërruar tërësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA