
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me arrestimin e shtetasit Moisi Habilaj nga policia italiane për trafik droge, duke deklaruar se prej vitesh PD ka denoncuar lidhjet e tij me pushtetin.
“Policia italiane arrestoi sot kreun e një grupi të trafikut të drogës nga Shqipëria, Moisi Habilaj. Partia Demokratike ka denoncuar për 4 vite lidhjen e qeverisë me këtë klan, lidhjen e afërt të Tahirit me këtë bandë. Audi i famshëm i ministrit përdorej pikërisht nga ky që sot u arrestua në Itali”, ka deklaruar Basha.
Në profilin e tij në Facebook, Basha ka përmendur edhe masat e marra nga qeveria ndaj oficerit të policisë Dritan Zagani, që denoncoi lidhjen e klanit Habilaj me elementë shtetërorë.
“Edi Rama arrestoi Dritan Zaganin, oficerin e policisë që e denoncoi këtë lidhje dhe sulmoi opozitën pa rreshtur. Po sot çfarë do të thotë? Vetëm ngarkesa e kapur prej policisë italiane vlen 20 milionë euro. Po në 4 vite, sa para qarkulloi narkomafia me mbështetjen e Tahirit dhe mbrojtjen e Rames??? Kjo është mafia dhe këto janë lidhjet e saj me Edi Ramën!”, ka shtuar Basha.
Ndërkohë, në një postim tjetër të bërë më herët, kryetari i PD ka përsëritur akuzat për lidhjet e kryeministrit Rama me krimin, duke cituar këtë herë të dhënat për kriminalitetin shqiptar në Britani.
“Shqiptaret janë viktimat më të mëdha të skllavërisë moderne në Britani, 346 viktima nga 1.500 viktima te dokumentuara. Raporti britanik tregon një plagë të madhe të shoqërisë tonë, trafikimin e vajzave dhe grave nga bandat kriminale”, ka deklaruar Basha.
Basha ka shtuar se, “kjo ndodh kur kryeministri i vendit ndan pushtetin me trafikantët dhe përdhunuesit!”.
Top Channel