Shkollat, Rama: Do të largohen drejtorët më problematikë

14/10/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se është bërë progres i qënësishëm në sistemin arsimor, por shtoi se sërish nuk është mjaftueshëm.

“Kemi probleme me arsimin, kemi probleme me transparencën e kontratave të përkohshme, e mbi të gjitha probleme me drejtuesit e shkollave”, deklaroi ai.

Rama tha se sa u takon mësuesve, sistemi i krijuar përmes testimeve do të vazhdojë të konsolidohet, ndërsa deklaroi se problematikë janë drejtorët e shkollave.

“Ka ndodhur që është bërë baltë me drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave. Do t’i vihet fre kësaj në të gjitha ato rastet kur konstatohet nivel shqetësues injorance i drejtuesve të shkollave”, shtoi ai.

Për të zëvendësuar një pjesë të këtyre drejtorëve, Kryeministri tha se do të ftohen 300 mësuesit që kanë dalë më mirë nga testimi i fundit kombëtar i organizuar nga Ministria e Arsimit.

“Drejtorë shkollash që janë nën nivelin e mësuesve nuk mund të pranohen, e për këtë arsye, 300 mësuesit më të mirë të dalë nga testimi kombëtar, do të ftohen të drejtojnë shkollat në vend të 300 drejtorëve më problematikë të sistemit arsimor”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA