LSI, Vasili: Kontrolli i vendit po rrëshket nga shteti tek krimi

14/10/2017 12:27

LSI, përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Rama se, përmes kriminalizimit po shemb Republikën Parlamentare të Shqipërisë.

“Mediat europiane janë shumë të qarta, që kryeministri shkollëpak i këtij vendi, me paaftësinë kriminale të tij dhe të atyre që i bëjnë fresk, po e çon këtë vend në një greminë ekonomike dhe politike”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, “në parlamentin e degraduar, që drejtohet me një servilizëm që nuk është parë as në fillimet e pluralizmit, po realizohet qetësimi i paranojave biologjike dhe politike të kryeministrit në kurriz të parlamentarizmit”.

“Po jetojmë në parlamentin e Partisë së Punës dhe Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga atavizmat e së shkuarës komuniste”, është shprehur Vasili.

Sipas tij, kontrolli i vendit po rrëshket nga duart e shtetit tek ato të krimit dhe përgjegjësia për këtë dhe për jetën e mijëra familjeve është vetëm e kryeministrit, “i cili do që të ikë duke lënë zjarrin prapa”, ka thënë Vasili.

Ai ka shtuar se mediat e huaja thonë: “Marrëdhëniet mes politikës dhe klaneve në Shqipëri ndërthuren në një rrjet hakmarrjeje dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave po lulëzojnë në këtë vend dhe kryeministri Edi Rama, në vend që t’i përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisë, rishtazi e ka përkeqësuar gjendjen duke folur për Shqipërinë e Madhe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA