Gjysmë-Maratona e Tiranës ka nisur paraditen e së shtunës me garën e saj të parë, ku 2300 nxënës nga shkolla të ndryshme kanë vrapuar në një distancë 2 kilometra.
“Kjo ishte vetëm nxehja, por nga ju dua që ditën e nesërme të na jepni një dorë, qoftë duke orientuar turistët që kanë humbur rrugët”, tha Erion Veliaj.
Por gara e madhe do të jetë ditën e diel, ku marrin pjesë 2500 vrapues.
“Dua të njoftoi të gjithë ata që janë vrapues profesionist. Ne tashmë kemi filluar që dje te sheshi “Nënë Tereza” po japim numrin që të evitohet radha dhe të mos kemi vonesa ditën e nesërme”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se kjo maratonë nxit të rinjtë drejt aktiviteteve sportive.
“Të kemi më shumë aktivitete sportive. Ata që merren me sport duhet të angazhohen çdo ditë dhe lutja ime për secilin prej jush është të mos tundoheni të qëndroni në kafe apo bingo”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Të dielën do të jenë të bllokuara: bulevardi kryesor deri te “Stacioni i Trenit”. Rruga “Abdi Toptani”, Unaza e Vogël, “Urani Pano” mbas hotel “Tirana”, Rruga pas Muzeut Kombëtar drejt Bankës së Shqipërisë, rruga e “Kavajës”, i gjithë segmenti nga Banka e Shqipërisë deri tek Garda e Republikës. Segmenti nga Garda te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe Rruga e “Barrikadave”.
Gara do të zgjasë deri në orën 14:00 dhe më pas të gjitha rrugët do të jenë të lira.
Top Channel