Basha: Të shkëpusim lidhjen e krimit me shtetin

14/10/2017 09:55

Një ditë pas votimin me konsesus për ngritjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Lulzim Basha thotë se prioriteti është ngritja e një sistemi që do të shmangë jo vetëm shit-blerjen e votës, por rolin e krimit në zgjedhje.

“Jo vetëm votim e numërim elektronik, por edhe shmangien e rolit të krimit në përcaktimin e votës dhe opozita e ka thënë qartë që përgjegjësi kryesor është Edi Rama dhe ky është modeli kryesor i ndërtuar nga ai”, tha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të shtunë, kreu i PD.

Largimin e Edi Ramës, Lulzim Basha e quajti një domosdoshmëri për vendin dhe prioritet për shpërbërjen e lidhjes, sipas tij, të shtetit me krimin.

“Sistemi që kemi sot është mafioz, një kupolë politiko-mafioze. Pra, nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, por për mafie, një shkallë më lartë”, vijoi Basha.

Basha drejtoi një apel edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Ndërkombëtarët, që kanë filluar të flasin, të vënë pikën mbi “I” dhe të flasin me emra konkretë se kush janë politikanët e lidhur me krimin dhe se përse këto klane mafioze, pse këto familje mafioze bënë ligjin në këto katër vjet në Shqipëri?”, deklaroi ai.

Basha thotë se Partia Demokratike ka dyert e hapura për bashkëpunim me partitë e tjera, përsa kohë…

“Nga këto zgjedhje ne kemi dalë më pak në numra, por si opozitë kemi moralin që t’i bëjmë thirrje çdo force tjetër që nuk i ka duart e përlyera me krimin që janë të mirëpritura në këtë aleancë”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA