Qeveria, dy ditë në Vlorë. Rama: Ministrat, çdo muaj në terren

13/10/2017 00:00

Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit të tij ndodhen për një axhendë dyditore në Vlorë, ku pasditen e së premtes zhvilluan mbledhjen e qeverisë.

Në fund të saj, kryeministri mbajti një deklaratë për mediat ku foli për projektet e bashkëqeverisjes me qytetarët.

“Në çdo muaj qeveria do të zbresë në një territor për të qenë pranë njerëzve dhe jo thjesht për të bërë mbledhjen e saj të radhës, edhe me një tematikë specifike për qarkun përkatës, por për të ndarë me njerëzit, për të ndarë me përfaqësuesit e grupeve të ndryshme të interesit, për të diskutuar me drejtues dhe amdinistratorë lidhur me ecurinë e punëve tona të përbashkëta”, deklaroi Rama.

Dhe pikërisht dy vendime në mbeldhjen e qeverisë në Vlorë lidhen me projektet për këtë qark: fondi për projektin e qendrës së fshatit Bratatj dhe shpallja e qendrës së Kaninës zonë e mbrojtur.

“Kjo do të pasojë me një program të financuar për rilindjen e gjithë atij fshati të mrekullueshëm që tashmë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë tonë kulturore”, tha Rama.

Këshilli i Ministrave ka vendosur po ashtu zhbllokimin e tendereva të administratës qendrore, pas pezullimit të bërë në fillim të korrikut, si edhe kalimin e ALUIZNI-t në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Zbarkimi i kabinetit Rama në Vlorë nuk mbaron me mbledhjen e qeverisë. Axhenda e kryeministrit dhe ministrave është e ngjeshur dhe per dy ditë do të zhvillohen një sërë takimesh.

Top Channel