
Turqia nxori një mandatarresti për një punonjës të konsullatës amerikane, i dyti brenda javës. Arrestimi i një anëtari të Konsullatës amerikane në Stamboll, javën e shkuar, shkaktoi një përballje diplomatike mes Ankarasë dhe Uashingtonit, duke bërë që dy vendet thuajse të ndërpresin plotësisht shërbimin e vizave.
Nëpunësi i parë u arrestua pasi dyshohet se ka lidhje me klerikun Fetullah Gulen, i akuzuari kryesor nga Turqia për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016. Por, Ankaraja nuk dha asnjë sqarim për arsyet e mandatit të dytë të arrestit.
Përballja diplomatike me Shtetet e Bashkuara i ka kushtuar shtrenjtë Turqisë, pasi aksionet dhe bursa turke pësuan humbje serioze. Turqia i kërkoi më herët Uashingtonit që të rishikojë vendimin për të ndaluar të gjitha llojet e vizave, që s’kanë të bëjnë me emigracionin, masa që u morën si raprezalje ndaj arrestimit të parë.
Por ndërsa Turqia nxjerr një mandat të dytë arresti, zor se Amerika do të plotësojë kërkesën. Turqia, prej kohësh kërkon ekstradimin e Fetullah Gulen nga SHBA, e sipas ekspertëve, arrestimi i nëpunësve duket një përpjekje e Ankarasë për presion, megjithëse deri tani është Turqia që ka pësuar humbje.
Top Channel