
Tre oficerë dëshmuan në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin ndaj Denis Shtrazës, nën akuzë për “rrëmbimin me pasojë vdekjen” e Gazmend Çollakut.
Rebani Farruku, Alfred Hoxha dhe Lorenc Dervishi i thanë gjykatës se pas sekuestrimit të mjetit, pronë e oficerit të vrarë Ervin Dalipaj, fillimisht nuk është vërejtur diçka e dyshimtë.
Tre javë më pas, kur mjeti po dërgohej në një pikë bllokimi janë zbuluar njolla gjaku. Prokuroria këmbëngul se njollat e gjakut përputhen me gjakun që u gjet në fashetat me të cilat u gjet i lidhur Gazmend Çollaku.
Denis Shtraza është njëri nga personat e dyshuar për rrëmbimin e Çollakut, ndërkohë që për ish-oficerin e akuzuar me të, Ervin Dalipaj, gjykimi u pushua pas vrasjes së tij.
Por Denis Shtraza pretendon se nuk ka lidhje me akuzën pasi, sipas tij, ai ishte shok me Çollakun, të cilin e njihte që kur të dy ata mbaheshin në burg për vepra të tjera.
Edhe ekspertiza për mjetin luksoz nuk dha një përgjigje të saktë së çfarë itinerari ndoqi objekti, duke qenë se ekspertët thanë se nuk ishin në gjendje të përcaktonin një version të saktë.
Top Channel