
Forcat e Armatosura turke kanë nisur aktivitetin e zbulimit në provincën Idlib në Siri, para se të nisë operacioni i paralajmëruar ushtarak në këtë krahinë.
Sipas ushtrisë turke, qëllimi i fazës aktuale të operacioneve është krijimi i pikave të vëzhgimit, si dhe respektimi i angazhimeve të marra si pjesë e procesit të Astanës, një marrëveshje e arritur në Kazakistan muajin e shkuar.
Turqia, Rusia dhe Irani ranë dakord për krijimin e 4 zonave të sigurisë në Siri, një prej të cilave është provinca e Idlibit. Marrëveshja thotë se, në këto zona nuk do të ketë përballje të armatosura mes rebelëve dhe forcave të presidentit sirian Bashar al-Assad, por këto palë nuk e kanë firmosur paktin.
Ndërsa grupet terroriste në Siri nuk ishin pjesë e paktit, e pikërisht për këtë arsye, Turqia po ndërhyn ushtarakisht në Idlib për të ndaluar grupet xhihadiste që kanë fituar shumë terren. Por, Ankaraja është gjithashtu një kundërshtare e Assadit dhe mbështetëse e rebelëve, diçka që mund të sjellë përballje të reja në Siri mes forcave siriane dhe atyre turke.
Turqia thotë se do të sigurojë mbështetje për rebelët vetëm kundër xhihadistëve, në kuadër të marrëveshjes. Ofensiva rebele ka nisur, por me mijëra trupa dhe pajime të rënda turke në terren, gjithçka mund të ndodhë.
Top Channel