Kinë, festa kombëtare shënohet me bum në turizëm

09/10/2017 00:00

Festa e sivjetshme kombëtare e Kinës shënoi një numër rekord lëvizjesh. Pikat turistike të vendit janë vizituar nga 705 milionë vetë brenda 8 ditëve, që do të thotë një rritje me 11.9%, e përkthyer kjo dhe në shtim të të ardhurave në masën 13.9%.

Ndërsa ushtria e turistëve vendas përgatitej për të ashtuquajturën “Javë e artë” e pushimeve, destinacionet më të nxehta nuk ishin Parisi, Nju Jorku apo Tokio. Kinezët, që vitin e kaluar shpenzuan 261 miliardë dollarë jashtë kufijve, këtë herë kanë preferuar më shumë të qëndrojnë në shtëpi.

Një arsye mund të jetë edhe një ngadalësim i ritmit të ekonomisë, që ka detyruar një pjesë të tyre të shtrëngojnë rripat. Nuk janë të paktë ata që preferuan t’i kalojnë pushimet brenda vendit për shkak se e konsiderojnë të shtrenjtë udhëtimin, jo vetëm në shtetet perëndimore, por edhe nëpër Azi.

Një nga destinacionet më të preferuara është resorti i qytetit lindor Hangzhou, i njohur për bukurinë e liqeneve të tij dhe kodrave përreth. Sektori i turizmit në Kinë ka përjetuar një “zhvillim të shpejtë” kohët e fundit, me përmirësimin e linjave të transportit dhe investimeve të mëdha në zonat më të rëndësishme turistike.

Efekt kanë pasur gjithashtu fushatat e përmirësuara të marketingut mbi destinacionet e udhëtimit dhe impakti i kontrolleve më të shtrënguara mbi kapitalin, për t’i dekurajuar kinezët nga nxjerrja e parave jashtë kufijve.

Gjatë festës tetëditore kombëtare të vendit, volumi i shitjeve me pakicë dhe ato të industrisë së kateringut në Kinë mbërriti në 1.5 trilionë juanë. Mesatarja ditore e shitjeve u rrit me 10.3%, krahasuar me një vit më parë. Furnizimi i përditshëm i produkteve bazike në mbarë vendin ka qenë i bollshëm, ndërsa çmimet, përgjatë të gjithë periudhës festive, mbetën të stabilizuara. Që prej shpalljes së kësaj feste në vitin 1999, ajo është shndërruar në periudhën më të rëndësishme turistike për Kinën.

Top Channel