24 tonë hashash në Vlorë, Prokuroria: Nga një grup i strukturuar kriminal

09/10/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet për nëntë persona, mes tyre edhe një oficer i Policisë së Vlorës, të cilët akuzohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte kultivuar 18 parcela droge mes fshatrave Vezhdanisht e Treblovë.

Në dosjen e dorëzuar në gjykatë, prokuorët thonë se kreu i këtij grupi është Taulant Haxhiraj, ndërkohë që njëri nga bashkëpunëtorët e tij ishte edhe i kërkuari Renato Avduli, një oficer policie që shfaqet aktiv jo vetëm në përgjime, por që kishte edhe një parcelë droge e cila kontrollohej nga grupi.

Përgjimet tregojnë se kreu i grupit njoftohet nga persona të tjerë ende nën hetim që të kishte kujdes me lëvizjet, pasi po vëzhgohej nga Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ky grup, thotë Prokuroria, ka një strukturë të mirëfilltë kriminale si nga mënyra e gjetjes së tokave kullotë në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë, lidhjen me punonjës policie të Vlorës, por edhe marrjen e garancisë për ta mbjellë drogën si dhe vënien në dijeni për çdo operacion.

Oficeri Avdulaj shfaqet në përgjime me kreun e grupit të trafikantëve, kur ky i fundit nga frika se mund të ishte policia, e pyet për të shtënat, të cilat konfirmohen prej oficerit se janë të trafikantëve në parcelat afër. Të shtënat e armëve përshkruhen si zhurmë lufte.

Ja dhe disa nga përgjimet e realizuara nga hetuesit, ku del në pah bashkëpunimi mes Haxhirajt dhe oficerit të policisë, pas disa incidenteve të regjistruara në zonën me parcela.

Taulant Haxhiraj: Vajta që parë këtu dhe dëgjova bam bum, si luftë o vëlla.
Renato Avduli: Nuk janë nga tanët, vëlla.
Taulant Haxhiraj: Edhe dje na bënë zhurmë. Bam Bum këtu dhe ua kthyem edhe ne përgjigjjen.
Renato Avduli: Thuaju atyre të mos bëjnë zhurmë, nuk dua zhurmë aty. As nga krahët, as nga këmbët. Fare!

Në mënyrë të koduar shefi i grupit flet për persona të tjerë që janë ende nën hetim. Biseda kryhet pak përpara operacionit.

Taulant Haxhiraj: Fola edhe me atë djalin e dajos. Tha ‘hajde takojmë shokun’. Se ça do më thoshte vëllai, vajtët njëherë atje?
Shkëlqim Koçiaj: Tani po vemi.
Taulant Haxhiraj: Ikni, shpëtoni ç’të shpëtoni.

Pas operacionit në parcela, kreu i grupit shprehet i shqetësuar për tradhtinë që i ishte bërë.

Marjus Barjami: Kush e bëri gjithë këtë o vëlla?
Taulant Haxhiraj: Jo ata nga Vlora, vëlla. S’kanë lidhje me Vlorën, janë tiransa ata të dy.
Marjus Barjami: Mirë o vëlla, po kush kush ka folur nga Tirana?
Taulant Haxhiraj: Nuk e gjej dot tani vëlla, ik se nuk e gjej dot tani.

Prokuroria shpjegon se përveç parcela u gjetën në kapanone 11 rreshta me hashash që po thahej, ndërkohë që nuk përcaktohet se sa është sasia e drogës së asgjësuar.

Gjatë këtij aksioni u  tha një vit më parë se sasia e hashashit ishte 24 tonë, një version ky që u kundërshtua nga policia.

Top Channel