
Përndjekja dhe dhuna fizike e ushtruar ndaj ish të dashurës i kane kushtuar prangat një 39-vjeçari nga qyteti i Shkodrës.
Neritan Pipa është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi ka mbajtur përkundër dëshirës së saj ish të dashurën 27-vjeçare, duke ushtruar dhunë fizike në një banesë në zonën e “Kodrës së Diellit”.
Denoncimi është bërë nga vetë 27-vjeçarja, e cila i ka treguar policisë se ish i dashuri e ka përndjekur vazhdimisht, duke arritur deri në pikën që e ka marrë me forcë dhe e ka mbajtur të mbyllur në një banesë për tri orë.
Madje, vajza ka denoncuar se ndaj saj është ushtruar dhunë fizike gjatë kohës që është mbajtur e mbyllur në banesë, pasi 39-vjeçari, nuk donte të pranonte faktin e prishjes së lidhjes mes tyre.
Sipas policisë i arrestuari Neritan Pipa rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, pasi rezulton i dënuar nga Italia për akuzën e trafikut të narkotikëve.
Pas arrestimit, ndaj 39-vjeçarit Neritan Pipa janë ngritur akuzat e përndjekjes dhe trafikimit të personave të rritur në kuptimin se e ka detyruar ta mbajë në një lidhje jashtë dëshirës së saj.
Për akuzën e trafikimit, 39-vjeçari rrezikon një dënim që varion nga 10 deri në 15 vjet burgim.
Top Channel