Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Në pritje të zhvillimit të ndeshjes së fundit kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018”, mes Shqipërisë dhe Italisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për mbarëvajtjen sa më normale të kësaj sfide, që do të luhet të hënën në orën 20:45.
Policia e Shtetit, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe interesimin e shumtë të tifozerisë vendase, asaj nga Kosova dhe asaj italiane për të qenë të pranishëm në stadium, ka hartuar një plan masash që synojnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike, para, gjatë dhe pas 90 minutëshit.
Fokusi i uniformave blu do të jetë evidentimi i individëve apo grupeve ekstremiste të dhunshme dhe me tendenca kriminale e terroriste, që mund të cënojnë rendin dhe sigurinë publike. Për këtë arsye, Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me SHISH, AISM dhe Gardën e Republikës, por edhe me policitë e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Policia e Shtetit synon edhe monitorimin e faqeve në rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve që bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit.
Mes objektivave janë edhe goditja e veprimtarisë kriminale, kapja e autorëve të dyshuar të veprave penale në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kontrolli fizik i të gjithë personave të pajisur me bileta për ndeshjen, si dhe për moslejimin e futjes në stadium të sendeve dhe materialeve të ndryshme të paligjshme.
Sipas asaj që njofton Policia e Shtetit, do të bëhet mbikëqyrja e trafikut rrugor në akset e qytetit të Shkodrës, aksi nga Tirana drejt qytetit veriperëndimor, si dhe shoqërimi i personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe Italisë, si dhe stafeve dhe tifozerive përkatëse. Masa do të ketë edhe për sigurimin dhe mbikëqyrjen e objekteve të përfaqësive diplomatike.
Në vëmendjen e Policisë së Shtetit është dhe kontrolli kufitar. Në pikat e kalimit kufitar në Morinë, Muriqan, Hani i Hotit, Qafë Thanë dhe Durrës, një specialist i Drejtorisë Antiterror do të vendoset për të verifikuar, intervistuar dhe vlerësuar lejimin ose jo të kalimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës 6-9 tetor 2017, të individëve me prirje radikalizmi ose ekstremizmi të vendosur në listën e kontrollit “Njoftim në kufi”.
Ndërsa për kufizimet në lëvizjen apo bllokimin e qarkullimit në disa akse të brendshme të qytetit të Shkodrës, pritet një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për oraret dhe rrugën e bllokuara. Kontrolle në akset rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.
Top Channel