
Plot 50 vite pas vdekjes së tij, Kuba përkujton revolucionarin argjentinas, Ernesto Che Guevara, i vrarë në xhunglën e Bolivisë, pasi ndihmoi me sukses Fidel Castron të rrëzonte regjimin ushtarak.
Atdheu i tij birësues ka çelur një ekspozitë të madhe për të nderuar njeriun që vështron turistët nga muret e Havanës, imazhi i të cilit përdoret për të shitur gjithçka, nga veshjet, te mbajtëset e çelësave.
Mijëra kubanë kanë vizituar këto ditë mauzoleumin e tij në Santa Clara, rreth 300 km larg kryeqytetit. Që prej hapjes në vitin 1998, muzeu ku gjendet edhe varri i tij ka joshur rreth 5 milionë turistë nga e gjithë bota. Statusi i heroit në këtë vend është i padiskutueshëm.
“Che është një shembull për brezat e rinj. Ai ishte një njeri, i cili mund të hiqte dorë nga çdo gjë për të realizuar idetë e tij, madje mund të jepte edhe jetën nëse do të ishte e nevojshme”, tha Faustino Moriano, historian.
Ernesto Che Guevara vinte nga një familje e shtresës së mesme, por mendjehapur dhe e kulturuar, e u shndërrua në një simbol të rezistencës. Misteri që rrethon vdekjen është një tjetër detaj i rëndësishëm, që iu shtua legjendës së tij, nga e cila industria e suvenirëve, e zhvilluar rreth revolucionarit dhe kujtimit të tij, ka përfituar shumë.
Top Channel