Vrasës dhe milioner. Hetime se përse ndodhi masakra e Las Vegasit

07/10/2017 00:00

Familjarët e viktimave të Las Vegasit kërkojnë ngrirjen e aseteve të autorit të masakrës më të madhe me armë zjarri në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.

Ai rezulton të ketë pasur 2 milionë dollarë, si dhe disa prona me vlerë të madhe. Paratë janë pikërisht një prej pistave të ndjekura prej policisë për të kuptuar misterin e fundit të Stephen Paddock: përse e bëri. Motivet e ngjarjeve të tilla zakonisht zbardhen 24 deri në 48 orë pas sulmit, por në këtë rast, pyetja që mundon policë e të mbijetuar nuk e ka ende një përgjigje.

Deri tani, nuk gjejnë konfirmim arsyet fetare pavarësisht pretendimeve të shtetit islamik. Ndryshe nga atentatori i Manilës, që vrau 38 vetë në muajin qershor pasi kishte humbur një shifër marramendëse parash në tavolinat e kazinove e ishte zhytur në borxhe që e çuan drejt falimentimit, Paddock kishte grumbulluar një pasuri të madhe për një jetë shumë të rehatshme.

Adhuronte videopokerin, hante “Taco Bell” e merrte vazhdimisht kruazierat, por nuk ishte një pensionist i çfarëdoshëm. Ishte i tërhequr e i rezervuar, ama jo i çmendur.

I vëllai i tha në CNN se shpreson shumë që autopsia të tregojë se ka pasur ndonjë tumor në kokë, sepse kjo mund t’i jepte një shpjegim gjestit të tij absurd.

Policia po kërkon të mësojë ndërkohë nëse 64-vjeçari kishte planifikuar dhe sulme të tjera, nëse vërtet siç thuhet, kishte pasur ndërmend të arratisej e jo të vriste veten e nëse në të gjithë sipërmarrje vrastare, është përfshirë edhe dikush tjetër.

Top Channel