Rrugët rurale, inaugurohet investimi në Pezë-Helmës

07/10/2017 00:00

Bashkia e Tiranës do i orientojë investimet e ardhshme në zonat rurale duke u ndalur fillimisht tek qendrat e fshatrave për të cilin ka nisur tanimë një plan konkret.

“Plani është që të vazhdojmë siç kemi filluar këtë vit me buqeta investimesh, pra në grupe rrugësh dhe me qendrat e fshatrave. Eksperimentet që kemi bërë deri tani na kanë rezultuar të suksesshme. Me të njëjtën mënyrë siç investuam në Zall-Herr, ku u bë një buqetë rrugësh apo siç u investua në Krrabë, siç u investua në Petrelë dhe në Qeha, të vazhdojmë dhe me fshatrat jugorë të Tiranës, aty ku e gjithë lugina e Erzenit është ndoshta një nga vendet më pjellore, me njerëzit më punëtorë që njeh sot Tirana”, tha Veliaj.

Qëllimi i investimeve të tilla është afrimi i fermerëve të zonave rurale me tregjet, duke i sjellë kështu përfitim çdokujt që jeton dhe punon në fshat.

“Kjo rrugë është një gjë konkrete, tregjet janë gjëra konkrete dhe besoj është mënyra më e mirë se si dikujt nuk i predikojmë se pse duhet të qëndrojë në fshat dhe pse duhet të furnizojë qytetin me ushqime, me blegtori, por i japim edhe një incentivë, duke bërë rrugët, si kryesoret, si këto lidhëset që e bëjnë më të afërt tregun, e bëjnë më të afërt shkollën, spitalin. Do të thotë që me një kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë, jeta në fshat është e mundur, të paktën aty ku po punojmë në Tiranë”.

Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në përurimin e një investimi të tillë, siç është aksi rrugor Shirt – Pezë Helmës.

“Jam shumë i impresionuar nga puna për këtë rrugë cilësore. E gjithë zona e Shirt – Pezë Helmësit tani ka një unazë që depërton fshatrat dhe lagjet kryesore të zonës, për t’i lidhur me rrugën kryesore. Në këto kohë ku kemi një debat shumë të rëndësishëm për fshatin, Bashkia e Tiranës tashmë e ka marrë vendimin.

Veliaj vlerësoi edhe një herë ndarjen e re administrative, sipas të cilit ishte mundësia e vetme që këto zona të fitonin vëmendjen e duhur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB