Ballkani Perëndimor konsiderohet rajon problematik i Europës. Katër vende nga ky rajon duan të angazhohen për paqen dhe për një pranim të shpejtë të Serbisë në BE. Ato duan edhe të bashkëpunojnë më ngushtë ekonomikisht, thotë “Deutsche Welle”.

Takimi në Varna është pjesë e përgatitjeve që po bën Bullgaria për kryesimin e presidencës së BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018. Deri tani, politikisht Bullgaria nuk ka rënë në sy thuajse fare në BE. Ajo as nuk është pjesë e Eurozonës dhe as e hapësirës “Schengen”, ku janë hequr kontrollet kufitare.

Por këtej e tutje, kjo do të ndryshojë. “Sofja do të tregojë më shumë relevancë në Bruksel dhe përpiqet ta arrijë këtë përmes kësaj nisme. Ajo synon të theksojë dhe të çojë përpara perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë politologu bullgar, Daniel Stefanov.

Borisov do të profilizohet si nxitës i paqes dhe i orientuar nga e ardhmja, e po ashtu do të sjellë lajme të mira në Bruksel nga Ballkani. Një rol qendror në këtë drejtim duhet të luajë mbështetja për Serbinë, në bisedimet që po vazhdojnë për anëtarësimin në BE.

“Vendi i natyrshëm i Serbisë është në BE”, tha Borisov, e theksoi se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit do të jetë i dobishëm për sigurinë dhe paqen në Ballkan, e për të gjithë Europën.

Por kjo nuk është e vetëkuptueshme, sepse marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën shihen si problem. Brukseli ka bërë të qartë, që raportet e mira fqinjësore me Prishtinën janë kusht për anëtarësimin në BE. Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe në Bosnje-Hercegovinë, Serbia nuk luan gjithmonë rol konstruktiv. Veç kësaj, rajoni i Ballkanit Perëndimor konsiderohet gjithsesi si i paqëndrueshëm dhe me potencial konfliktesh.

Tensionet etnike në Bosnje-Hercegovinë, mosrespektimi i të drejtave të minoriteteve, apo grindja për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë, janë vetëm disa prej problemeve me potencial të rrezikshëm konflikti, si për rajonin, edhe për mbarë Europën.

Ndaj, nuk është habi fakti, që stabilizimi i rajonit dhe zhvillimi ekonomik i tij janë në krye të agjendës së prioriteteve të politikës së jashtme të BE-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta