Ancelotti nxjerr dufin: Bayern duhej t’i mbronte zgjedhjet e mia

06/10/2017 00:00

Carlo Ancelotti nuk preferon heshtjen, e kjo sepse ka shumë për të folur. Megjithatë, është i detyruar të jetë disi i ndrydhur kur vjen puna te Bayern Munchen, edhe pse shkarkimi është diçka hidhëruese që nuk mund të kalohet lehtë.

E kjo është kuptuar hapur në Torino, ku ka qenë për të tërhequr një çmim letrar nga Antonio Ghirelli, trofe i të cilit është libri “Udhëheqësi i urtë” i shkruar nga Chris Brady dhe Mike Forde, megjithatë edhe këtu e lëshoi një batutë.

“Do të kisha ardhur edhe nëse Bayern nuk do të më kishte shkarkuar. Ndoshta donin të ishin të sigurtë që unë të vija këtu në momentin e duhur”.

E përpara intervistave për të pranishmit, ish-tekniku i Milanit, Chelseat, Parisit, Realit dhe Bayernit theksoi:

“Qetësia është stili im, kjo sepse kam pasur mësues të qetë në jetë: duke nisur nga babai im, mësuesja ime, e padyshim edhe Liedholm. Në Madrid akuzohesha se kisha një raport tejet të ngushtë me lojtarët, ndërsa në Mynih sepse nuk kisha një raport të tillë. Them se duhej të kishin rënë dakord me mua. E vërteta është se unë nuk dua raporte me futbollistët, por me njerëzit”, rrëfen Ancelotti.

Ndërkohë, përpara kamerave televizive, shfaqet i drejtpërdrejtë…

“Jam i kënaqur që ndodhem këtu dhe që flas italisht (duke ironizuar ata që i thonin se nuk dinte të fliste mirë gjermanisht). Tashmë do të marr pushime deri në qershor e besoj se do të kënaqem edhe më shumë. Sigurisht që do të shoh edhe futboll. Preferoj edhe të shkoj në kinema apo të bëj shëtitje, por ju garantoj se është bukur ta shohësh futbollin edhe nga jashtë”.

E të paktë janë ata që nuk besojnë se një gjë të tillë do ta bëjë që nga sot mbrëma, kur Italia të ndeshet me Maqedoninë. Për këtë duel është shprehur se “play off”-et do të jenë të vështira, por Italia ka kompaktësinë e grupit, mbrojtje të hekurt dhe historinë me vete.

Sa i përket mundësisë për të drejtuar në vijim…

“Preferoj të drejtoj një klub, e një gjë e tillë do të jetë mbizotëruese derisa të më rreshtë dëshira për të qëndruar në fushat e blerta gjatë të gjitha ditëve. Më pas mund të pranoj edhe kombëtaren italiane, nëse do të më duan. Edhe pse, siç ndodh tani, janë disa kombëtare të tjera që kanë një avantazh teknik kundrejt nesh”.

Por vëmendjen nuk mundet ta shkëpusë nga Bayern dhe lamtumira ndaj kampionëve të Gjermanisë.

“Në 22 vite karrierë nuk kam pasur kurrë raporte të vështira. Ajo që ndodh është se bëj zgjedhjet e mia dhe të tjerëve u duhet paksa inteligjencë që t’i kuptojnë. Do të thoja se duhet që klubi t’i mbështesë e t’i mbrojë ato. Solidariteti i kolegëve të mi më ka gëzuar, por ky është futbolli dhe nuk ia vlen të skandalizohesh”.

Top Channel