Mima: Kostot mbi qytetarët. Çmimet do të rriten me 20%

05/10/2017 00:00

Futja në skemën e TVSH-së edhe e biznesit të vogël do të ketë pasoja tragjike për sistemin fiskal shqiptar, sipas Partisë Demokratike. Florion Mima, ish-zëvendësministër Financash dhe deputet i PD-së, thotë se kostoja do të rëndojë mbi qytetarët.

“Rritja do të jetë neto 20%. Bizneset e vogla që sot nuk paguajnë TVSH-në për shitjen e mallrave dhe shërbimeve, ditën e parë që kjo ide do të transformohet në ligj, do të fillojnë të ngarkojnë automatikisht 20% TVSH mbi çmimet e tyre”, tha Florion Mima, deputet i PD-së.

Zoti Mima thotë se në Europë, vetëm Spanja dhe Malta kanë sistem TVSH-je gjithëpërfshirës, e sipas tij, fisku shqiptar është i papërgatitur për të administruar këtë ndryshim.

“Pse ju thashë që kufiri në vendet me administrim të dobët duhet të jetë sa më i lartë? Duhet që të edukohet maja e bizneseve dhe dalëngadalë, duke u forcuar administrata, duke u ulur kufiri. Ne po ecim në rrugën e kundërt”, shpjegoi më tej Mima.

Mima shton se demokratët janë për një rritje të kufirit ndarës mes bizneseve të mëdha dhe atyre të vogla.

“Edhe 12 milionëshi është goxha i ulët për Shqipërinë. 15-16 milionë lekë do të ishte një xhiro dinjitoze për të ndarë fashat e biznesit të madh me atë të vogël, që është jashtë TVSH-së. Po ecim totalisht në drejtim të kundërt”, deklaroi Florion Mima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA