Pakti me Iranin, Mattis: SHBA nuk duhet ta braktisin

04/10/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të konsiderojnë vazhdimin e të qenit pjesë e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Kështu deklaroi Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, i cili u tregua mjaft diplomatik në sugjerimin drejt presidentit Trump.

“Nëse mund të konfirmojmë se Irani po respekton marrëveshjen, nëse mund të konfirmojmë se kjo është në interesin tonë të mirë, sigurisht që duhet të jemi pjesë e paktit. Aktualisht, pa pasur të dhëna për të kundërtën, besoj se presidenti duhet të konsiderojë që të qëndrojë pjesë e marrëveshjes”, tha James Mattis.

Mattis foli gjatë një seance dëgjimore të Kongresit për një temë mjaft të nxehtë, ndërsa dihet se presidenti Donald Trump është mjaft kritik ndaj paktit me Iranin.

Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi fjalët e Mattis, ndërsa pret datën 15 tetor, afati i fundit kur pritet miratimi apo jo i presidentit për marrvëshjen, që duhet të ndalojë Iranin të ndërtojë armë bërthamore.

Agjencia ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) që duhet të mbikëqyrë implementimin e marrëvëshjes thotë se Irani po e respekton atë, megjithëse raportet e fundit në medie flasin për pamundësinë e inspektorëve që të vizitojnë disa impiante kyçe të programit bërthamor iranian.

Top Channel