
Ministria e Infrastrukturës do të nisë një kontroll në Autoritetin Rrugor Shqiptar për realizimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Burime pranë kësaj ministrie bëjnë me dije se urdhëri është firmosur nga ministri Damian Gjiknuri. Në qendër të kontrollit do të jetë zbatimi i rregullave të menaxhimit të këtij projekti, zvarritja e tij dhe fondet shtesë.
Rruga Tiranë-Elbasan ka nisur që në mandatin e dytë të qeverise “Berisha”. Ajo duhet të kishte përfunduar prej disa vitesh, por punimet në të janë pezulluar disa herë. Firma kontraktuale pati kërkuar financime shtesë prej 35 milionë dollarësh, të cilat i ka marrë, ndërkohë që disa herë ka pasur konflikte me Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Projekti fillestar ka pësuar disa ndryshime për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe disa kostove të shtuara.
Top Channel