Shqiptarët, 8.3 miliardë euro në banka dhe investime financiare

03/10/2017 00:00

Familjet shqiptare kanë 8.3 miliardë euro pasuri të investuara në sektorin financiar. Lajmin e ka bërë publik Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të stabilitetit financiar.

Sipas Bankës, në fund të qershorit të këtij viti, vlera e pasurisë që individët kanë investuar në asete financiare arriti në 1 mijë e 105 miliardë lekë. Shifra nuk përfshin depozitat, llogaritë apo investimet e bizneseve. 

Krahasuar me një vit më parë, pasuria financiare e familjeve shqiptare është ulur me 12 miliardë lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ka ardhur për shkak të rënies së euros ndaj lekut, pasi një pjesë e konsiderueshme e depozitave të familjeve janë në euro. 

Por nëse shikohet në afatgjatë, krahasuar me vitin 2010, pasuria që familjet kanë investuar në asete financiare është rritur me 387 miliardë lekë ose rreth 3 miliardë euro.

Por ku i ruajnë shqiptarët paratë e tyre? Sipas BSH, forma më e preferuar është depozita. Familjet shqiptare kanë investuar 465 miliardë lekë depozita në monedhën kombëtare dhe 432 miliardë lekë të tjera depozita në valutë, kryesisht në euro.

Pas depozitave, instrumenti më i preferuar janë letrat me vlerë të qeverisë ku individët kanë investuar mbi 135 miliardë lekë, ndërsa në vendin e tretë renditen fondet e investimeve me afro 71 miliardë lekë.

Vitet e fundit normat e interesit për depozitat dhe letrat me vlerë kanë rënë ndjeshëm duke i bëra ato më pak fitimprurëse. Por pavarësisht kësaj, të dhënat tregojnë se familjet shqiptare, pjesën më të madhe të pasurisë së tyre vazhdojnë ta mbajnë të investuar në sektorin financiar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA