Referendumi i paligjshëm në Katalunjë, Mbreti Felipe VI apelon për unitet

03/10/2017 00:00

Mbreti i Spanjës, Felipe VI ka dënuar organizatorët e referendumit për pavarësinë e Katalunjës, që sipas tij e kanë pozicionuar veten në anë të kundërt me ligjin.

Në një fjalim para kombit, ai tha se gjendja në Spanjë është jashtëzakonisht serioze dhe bëri apel për unitet. Sipas Mbretit Felipe VI, udhëheqësit katalanas treguan mungesë respekti për fuqinë e shtetit.

“Ata shkelën parimet demokratike të sundimit të ligjit. Sot shoqëria katalanase është e fragmentarizuar dhe rezultatet e referendumit mund të vendosin në rrezik ekonominë e rajonit të pasur autonom dhe të të gjithë Spanjës. Por Spanja do t’i hedhë pas shpine këto kohë të vështira”, tha Felipe VI, Mbret i Spanjës.

Mbreti tha se oborri mbretëror spanjoll është i angazhuar thellësisht në mbështetje të Kushtetutës spanjolle dhe demokracisë, e nënvizoi angazhimin e tij si mbret për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Spanjës.

Ndërkohë, me qindra e mijëra vetë në Katalunjë kanë protestuar kundër dhunës së policisë spanjolle gjatë votimit të së dielës, kur rreth 900 persona u lënduan. Gjatë votimit u plagosën gjithashtu 33 oficerë policie. Protesta u zhvilluan në të gjithë Katalunjën, e vetëm në Barcelonë rreth 700 mijë vetë dolën nëpër rrugë.

Top Channel