
Koreja e Veriut kërcënoi Japoninë me shkatërrim nuklear, në përgjigje të përpjekjeve të Tokios për të bindur komunitetin ndërkombëtar të refuzojë dialogun dhe të ushtrojë në këmbim më shumë trysni mbi Penianin problematik.
Agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA” thotë se, lidershipi i vendit iu përgjigj në këtë mënyrë fjalimit të kreut të ekzekutivit japonez, Shinzo Abe, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ditë më parë, ku ai këmbëngulte për presion e jo negociata, i bindur se kjo është rruga për ta detyruar Veriun komunist të heqë dorë nga ambiciet e veta atomike.
Regjimi i Kim Jong-un e akuzoi Aben se po përdor për qëllime politike teorinë e krizës në gadishullin korean, e në mënyrë të veçantë se po lehtëson militarizimin e Japonisë. Sipas artikullit, Abe e ka bërë të qartë tashmë objektivin e vet keqdashës me rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë i refuzoi sërish bisedimet me Penianin për çështjen e programit të tij bërthamor, duke sqaruar se ulja në tryezë me zyrtarët e atjeshëm do të ndodhë vetëm për të folur mbi fatin e amerikanëve të ndodhur në këtë vend.
Shefi i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson është flamurtar i negociatave e nuk kishte shumë që pati deklaruar se Uashingtoni po komunikon drejtpërdrejt me Penianin për çështjen atomike dhe atë raketore.
Por zëdhënësja Sarah Sanders tha prerazi se nuk është koha për bisedime. Vet Donald Trump, që ka shkëmbyer vazhdimisht fyerje e kërcënime me Kim Jong-un javët e fundit, e konsideron këtë një humbje kohe. “Ruaji energjitë Rex, – shkroi ai në Twitter. – Në fund do të bëjmë atë që duhet bërë!”.
Top Channel