“Përkeqësim i klimës së biznesit”/ Investitorët e huaj të shqetësuar për korrupsionin, informalitetin dhe stabilitetin fiskal
Dorian Teliti, këshilltar për ekonominë në Partinë Demokratike, deklaroi në “Top Story” se opozita nuk është kundër koncesioneve në parim, “por kundër mënyrës se si po jepen ato”.
“Në shumicën e rasteve ka vetëm një operator që paraqitet”, tha Teliti.
Këshilltari i PD-së, duke folur për shqetësimin e FMN-së mbi koncesionet u shpreh se “deklarata e FMN ka qenë mjaft e fortë”.
“Vuri në diskutim aftësinë e qeverisë për të menaxhuar partneritetin publik-privat, aftësinë konkurruese tonën dhe aftësinë për të gjeneruar mirëqenie për shqiptarët. Dita-ditës po bëhen manipulime dhe ka problematika në fushën e partneritetit publik-privat”, theksoi Teliti, i cili mendon se qeveria nuk po i menaxhon siç duhet paratë që po grumbullon nga taksat.
“Investimet duhen, por paratë gjenden nga rritja e taksave. Taksat shtesë janë mbi 1,47 miliardë dollarë. Kemi rritje të stokut të borxhit publik në masën 2.5 miliardë dollarë të tjera. Pra, 4 miliardë dollarë nga xhepat tanë. Para’ ka, diskutimi është te menaxhimi i këtyre parave. Ne mendojmë se paratë janë futur në arkën e shtetit dhe shpenzimi i këtyre parave nuk është bërë në drejtimin e duhur”, deklaroi Teliti.
Top Channel