
Nga 3 tetori nisin aplikimet për lotarinë amerikane 2019. Qytetarët shqiptare mund të aplikojnë online, pas orës 18:00 dhe pranimet mbyllen të martën e 7 nëntorit po në ora 18:00. Kujdes nëse do të merrni pjesë, mos e lini aplikimin për ditët e fundit pasi serveri mund të mbi ngarkohet, dhe këshillohet që të regjistroheni më parë.
Për vitin fiskal 2019, do të jenë në dispozicion 50 mijë viza emigrantësh. Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas në faqen zyrtare www.dvlottery.state.gov dhe përzgjedhja e fituesve bëhet nga një sistem kompjuterik.
Po kush mund të marrë pjesë? Aplikuesi të jetë mbi 18 vjeç, nëse aplikon vetëm. Në rast aplikimi familjar, mund të përfshihen dhe fëmijët deri në moshën 21 vjeç.
Regjistrimi është i thjeshtë, shkruhen gjeneralitet, gjendja civile aktuale, vendlindja, adresa, numri i telefonit dhe origjina e shtetit.
“Mund të filloni të merrni informacion si fillim. Ju duhet një foto e këtij viti, foto e vjetshme nuk pranohet. Sigurohuni në fillim se cilët janë pjesëtarët e familjes suaj, nëse i keni harruar. Ata janë personat që jeni martuar, fëmijët tuaj, nëse jetojnë ose nuk jetojnë me ju. Bëni një listë me ato që lidhen me ju, bëni një listë me ditëlindjet e tyre”, u shpreh për “Wake Up” Emily Enright, shefe e njësisë së vizave jo emigruese.
Duhet një fotografi portreti digjitale e muajve të fundit sipas parametrave të përcaktuar në faqen e aplikimit. Aty gjendet dhe guida për përmasat, në fotografi duhet të dilni pa syze. Gjithsesi nëse fotografia është e pavlefshme ajo nuk pranohet nga vetë sistemi. Kur aplikimi është familjar duhet fotografi për secilin anëtar. Ndërkohë nëse je i martuar duhet patjetër regjistrim edhe të bashkëshortit, në rast të kundërt s’kualifikohesh.
Secili bashkëshort ka të drejtë të jetë aplikant kryesor duke përfshirë pjesën tjetër të familjes. Në rastin kur dikush është i divorcuar dhe ka fëmijë deri në moshën 21 vjeç, është i detyruar të përfshijë në aplikim edhe fëmijët, pavarësisht ka apo nuk ka kujdestarinë e tyre.
Çdo aplikant duhet të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve 9 vjeçare dhe shkollën e mesme ose dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve fundit në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Duhet të aplikoni vetëm një herë për person. Personat që do aplikojnë më shumë se një herë skualifikohen. Të gjitha detajet në shqip gjenden në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Shqipëri, kurse në faqen e Facebook po të ambasadës ka dhe një guidë aplikimi.
Top Channel