
Pak orë pas tragjedisë së ndodhur në Las Vegas, nëpër rrjetet sociale disa llogari, që mendohet se janë të afërta me ISIS-in publikuan një lajm, që autoritetet amerikane e mohojnë.
Sipas këtij lajmi, Stephen Paddock ishte konvertuar në mysliman para disa muajsh.
Kjo u përhap me shpejtësi nga mediat amerikane, aq sa detyruan autoritetet vendase që të dalin me një deklaratë e të njoftojnë me bindje se autori i masakrës që la 58 të vdekur dhe 200 të plagosur nuk ka lidhje me ekstremizmin islamik.
“Nuk ka asnjë të dhënë, asnjë fakt a provë që të lidhë vrasësin e Las Vegasit me grupe terroriste ndërkombëtare”, thanë autoritetet amerikane.
Ndërkohë, Hillary Clinton, pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave u kërkoi amerikanëve që të gjejnë forcë dhe të kundërshtojnë ligjet për armëmbajtjen.
“Dhimbja është e madhe! Duhet ta lemë menjanë politikën dhe të marrim qëndrim të qartë kundër Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe të punojmë së bashku për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh ish-Sekretarja e Shtetit.
Shoqata e Armëve, ose NRA (National Rifle Association) është lobuesja kryesore dhe tejet e fuqishme kundër shtrëngimit të ligjeve për armëmbajtjen.
Top Channel