Atentati në Vlorë, policia ndjek pistat e hakmarrjes

02/10/2017 00:00

Një ditë pas atentatit në qytetin e Vlorës, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij 8-vjeçar dhe i afërmi i tyre Dritan Bellaj, policia e Vlorës ka njoftuar se ka marrë pamjet e momentit të sulmit nga kamerat e disa bizneseve që ndodhen përreth vendngjarjes.

Gjithashtu, policia ka mbledhur edhe disa prova, perfshirë edhe një armë zjarri pistoletë, e cila rezultoi se është përdorur si reagim ndaj zjarrit të atentatorëve nga i plagosuri Ferdinand Llanaj, i arrestuar tashmë për armëmbajtje pa leje.

Policia ka sekuestruar edhe disa telefona celularë, dy automjete, si dhe një shumë prej 1.6 milion lekësh. Ndërsa në automjetin e atentatorëve, i cili u gjet i djegur policia gjeti dy armë automatike Kallashnikov, si dhe tre gëzhoja.

Por pavarësisht hetimeve, policia ende nuk ka një pistë të qartë mbi motivet dhe aq më pak për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Por hetimet janë përqendruar në konfliktet dhe të kaluarën e familjes së të plagosurit Ferdinand Llanaj dhe familjes Xhaferraj.

Babai i Ferdinandit është vrarë në vijim të një zinxhiri vrasjesh të nisura në vitin 1998 në Selenicë. Më pas fisi Llanaj u dyshua se urdhëroi vrasjen e një tjetër kundërshtari, Nure Xhaferrit, i cili gjithashtu u ekzkeutua me Kallashnikov.

Një tjetër pistë është edhe ajo e hakmarrjes për shkak të vëllait të Ferdinandit, Aleksandër Llanaj, i cili ndodhet në burg që prej 2015-s, si një nga të dyshuarit e masakrës së trefishtë në lagjen Çole.

Top Channel