
Pas dy vitesh e gjysmë gjallërimi të fortë të vizitave amerikane në Kubë, muajt e fundit kanë sjellë një rikthim të ashpër në realitet për punonjësit e industrisë vendase të turizmit.
Në muajin qershor, presidenti Donald Trump urdhëroi kufizimin e lëvizjes, e tani, më 29 shtator Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi të mos udhëtohet në ishullin e Karaibeve, i nxitur nga seria e sulmeve të mistershme kundër diplomatëve atje.
Rregullat e reja nuk janë bërë ende publike dhe paralajmërimi nuk do të thotë se amerikanëve iu ndalohet udhëtimi drejt Kubës, por mes rreshtash lexohet se rikthimi në ishullin e konsideruar deri vonë si “frut i ndaluar”, është i rrezikshëm. Vendasit përpiqen të tregojnë të kundërtën.
“Në të gjithë botën nuk ka vend më të sigurtë për amerikanët sesa Kuba. Nuk ka pasur incidente të tjera përveç atyre që përfshijnë diplomatët. Nuk është prekur asnjë qytetar i thjeshtë. Edhe ato raste, ne nuk e dimë se çfarë janë e kush qëndron prapa tyre. Ka vende të tjera me probleme shumë të mëdha, e megjithatë, për ato nuk është nxjerrë asnjë paralajmërim udhëtimi. Përfundimi ynë është se bëhet fjalë më së shumti për deklarata politike”, tha Bog Guild.
Numri i vizitorëve të rrallë amerikanë në shtetin ishull u shtua që prej uljes historike të tensioneve dypalëshe në vitin 2014. Disa biznesmenë kubanë thonë se zhvillimet e fundit nën administratën e Donald Trumpit janë një kujtesë e ashpër e faktit, që nuk duhet të mbështetesh shumë në një treg të vetëm.
Të tjerë druhen se, paralajmërimi amerikan i udhëtimit do të ketë impakt më të gjerë mbi imazhin e vendit, si një destinacion i sigurtë dhe idilik pushimesh, që edhe kështu e ka marrë një goditje të fortë nga uragani “Irma” dhe kaosi i lënë pas prej tij.
Top Channel