
Policia kanadeze po heton mbi disa incidente në Edmonton të Albertës, por e ka konfirmuar tashmë se ngjarjet e dhunshme, me të gjitha gjasat mund të kenë sfond terrorist.
Një polic trafiku u godit nga një makinë që lëvizte me shpejtësi të lartë, e më pas u qëllua disa herë me thikë mbrëmjen e së shtunës. Pak më vonë, një mikrobus u përplas mbi kalimtarë të rastit, duke plagosur 4 vetë.
Drejtuesi i tij u arrestua dy orë më vonë, pas një ndjekjeje të ethshme policore. Autoritetet kanadeze të sigurisë deklarojnë se, në njërën prej makinave u gjet një flamur i ISIS-it. Shefi i policisë, Rod Knecht shpjegoi se, shoferi i furgonit ishte ndaluar nga policia pak pas mesnatës dhe emri në dokumentet e tij rezultoi shumë i ngjashëm me atë të të kërkuarit pas incidentit të parë.
“Furgoni u largua menjëherë nga vendngjarja dhe efektivët iu vunë pas, duke e ndjekur ndërsa i drejtohej qendrës së qytetit. Gjatë rrugës, njeriu në timon iu drejtua qëllimisht kalimtarëve dhe përfundoi në pranga pasi mjeti u përmbys”, tha Rod Knecht, shef i policisë më Alberta.
I ndaluari është një 30-vjeçar, emri i të cilit nuk ishte i panjohur për policinë. Besohet se ai ka vepruar i vetëm, megjithatë nuk përjashtohet as mundësia e përfshirjes së personave të tjerë, ndaj po hetohet edhe në këtë drejtim.
Top Channel