Irak, shënohet dita e Ashurës

01/10/2017 00:00

Një zjarrmi e vërtetë fetare ka përfshirë myslimanët shiitë në Basra dhe Qerbela të Irakut, në ditën kur nderohet martirizimi i imamit Hysein, nipi i Profetit Muhamed.

Nën thirrjet “Haidar”, emri i betejës së të atit të Hyseinit, pleq, djem të rinj e fëmijë marshuan në rrugët e Basrës, duke goditur kokat me thika, në një shfaqje të gjakosur pikëllimi.

Pelegrinët në Qerbela qëllonin shpinën me zinxhirë çeliku, e gjoksin me grushta, për të shprehur kështu agoninë e thellë nga vrasja e imamit dhe ndjekësve të tij, në betejën e zhvilluar në këtë qytet mbi 1.300 vite më parë.

Festivali zgjat 10 ditë dhe kulmin e arrin më 1 tetor, dita e Ashures apo dita e dhjetë e muajit të Muharremit, që shënon momentin kur Hyseini u vra dhe iu pre koka nga armiqtë e tij në Qerbela, e bashkë me të humbën jetën edhe 72 shahide.

Përgjatë këtyre ditëve, besimtarët bektashianë iu përmbahen disa rregullave. Atyre iu ndalohet ngrënia e mishit, qumështit, vezëve, ëmbëlsirave, ndërsa iu lejohet çdo produkt tjetër që prodhohet nga toka, si fruta, zarzavate dhe vaj ulliri, etj., ndërsa kafenë e pijnë pa sheqer.

Top Channel