SHBA-Kore e Veriut, Tillerson: Kemi kanale komunikimi

30/09/2017 00:00

Sipas sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson, SHBA është në kontakt direkt me Korenë e Veriut. Tillerson tha se Washingtoni po shqyrton mundësinë e bisedimeve me Penianin, ndaj edhe priten të reja.

“Ne kemi linja komunikimi me Penianin”, tha ai gjatë udhëtimit në Kinë. Nuk jemi në një situatë të errët. Koreja e Veriut dhe SHBA janë angazhuar në retorika të nxehta muajt e fundit, por më herët, nuk dihej nëse ato kishin apo jo komunikim. 
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të asgjësojë Korenë e Veriut, duke thënë se lideri i vendit, Kim Jong-un është në një mision vetëvrasës. E kjo deklaratë shtyu liderin koreano-verior të reagonte ashpër, duke thënë në një deklaratë të rrallë, se do ta përvëlonte me zjarr matufin amerikan me probleme mendore.

Sidoqoftë, së fundmi ka pasur edhe raporte për kanale komunikimi mes dy administratave. Sipas agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’, SHBA dhe Koreja e Veriut janë përfshirë në bisedime të fshehta prej muajsh, me kontakte diplomatike të rregullta.

Tillerson edhe më herët ka pohuar se ka në dispozicion kanale komunikimi. Më herët, Suedia ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat me Korenë e Veriut, për llogari të Washingtonit.

Në gusht, një zyrtar suedez i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se Suedia mund të rihyjë në lojë sërish, pasi është e besueshme si nga Washingtoni ashtu edhe nga Peniani.

Sipas tij, Suedia ka ndërhyrë në disa raste më herët, veçanërisht në lidhje me amerikanët e burgosur në Korenë e Veriut. Sidoqoftë, ministria e jashtëme suedeze ka refuzuar të japë komente mbi këtë temë.

Top Channel